Natë e ditë nga Virginia Woolf është botuar për herë të parë në 1919-n. I ambientuar në Londrën eduardiane, Natë e ditë paraqet kontrastet midis jetëve të përditshme dhe lidhjeve romantike të dy grave. Romani analizon raportet midis dashurisë, martesës, lumturisë dhe suksesit. Natë e ditë prek tema si e drejta e grave për të votuar; nëse dashuria dhe martesa mund të ekzistojnë së bashku dhe nëse martesa është e nevojshme për lumturinë. Katerinë Hilberi është e bukur dhe e privilegjuar, por me një të ardhme të paqartë. Ajo duhet të zgjedhë midis poetit të pazakontë Uilliam Rodni dhe pasionit të saj të rrezikshëm për Ralf Denhamin. Teksa ajo mundohet të vendosë, jetët e dy grave të tjera – aktivistja për të drejtat e grave, Meri Daçit, dhe nëna e Katerinës, Margaret, e cila po mundohet të mbledhë dokumentet, historitë dhe kujtimet e babait të saj në një biografi – përzihen me të sajën, duke pasur kështu pasoja intriguese. Romani i dytë i Virginia Woolf-it është një histori delikate dashurie, një komedi shoqërore, por ai edhe minon këto tradita duke ngritur pyetje mbi rolin e gruas dhe natyrën e vërtetë të jetës njerëzore. Një përzierje intriguese e shekullit XIX dhe XX, e klasikes dhe e modernes, e ndikimit të së kaluarës dhe e risive të së ardhmes.
Me gjithë ndryshimin e madh që kjo vepër ka nga veprat e mëvonshme të saj, ky roman është ende pashmangshmërisht Woolf. Vetëm ajo mund ta përshkruajë atmosferën e mrekullueshme të shëtitjeve muzgore në Londër, vetëm ajo mund të përshkruajë me kaq pasion dhe vetëdije rëndësinë e punës për një grua, vetëm ajo mund të sjellë në jetë veçantitë e një familjeje që shenjtëron të kaluarën dhe vetëm ajo mund të krijojë prozë me copëza të një bukurie kaq të plotë, sa lexuesi mundet veç të ndalojë e ti rilexojë ato sërish e sërish, duke i pirë fjalët me një etje që nuk mund të shuhet. Natë e ditë flet për dallimet midis burrave dhe grave, por flet edhe për dallimet midis shpirtit dhe shoqërisë, si dhe se si ne shpesh jemi të detyruar të sillemi në një mënyrë krejt të kundërt me atë çfarë dëshirojmë vërtet, vetëm për të kënaqur të tjerët dhe për tu konformuar me pritshmëritë e të ngjashmëve tanë. Ekziston një errësirë, një thellësi e pamendueshme brenda secilit prej nesh, të cilën nuk na lejohet kurrë ta nxjerrim në dritën e diellit; e si presim të gjejmë lumturinë kur kaq shumë prej vetvetes sonë të vërtetë është e detyruar të rrijë e fshehur?
Kopertina: | E butë |
---|---|
Nr. i faqeve: | 540 |
Përkthyes: | Engjëllushe Shqarri |
Botues: |
Libra të ngjashëm
-
Moderato Cantabile
500 L -
Mami, unë dhe mami
800 L -
Valeria
900 L -
Ema
1000 L
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.