Testament

Mehmet Kraja

1500 L

Në këtë “Testament” Mehmet Kraja ndërton një botë të tërë letrare, ku kujtesa, vdekja, kufiri, lufta dhe dashuria e humbur nuk rrëfehen si ngjarje të zakonshme, por si plagë që hapen e mbyllen nëpër breza. Rrëfimi i tij është thellësisht vetjak e njëkohësisht kolektiv: zëri i narratorit (gjithmonë në veten e parë) shpesh përzihet me zërat e kujtesës.
Ai bën një udhëtim nëpër një botë që rron përtej harresës. Nëna dhe vajtimi i saj, babai, gjyshja, motra, kufiri, dashuria e humbur, socializmi etj. kthehen si refrene, herë si kujtim i drejtpërdrejtë, herë si ëndërr, herë si kronikë, herë si dialog me të përtejmen. Autori i merr e i rimerr këto tema, duke i rindërtuar në variante të reja, sikur libri të jetë një labirint kujtese, ku çdo tregim është një derë që të çon te një tjetër.
Stili i Krajës është i ngjeshur e lirik, me një ironi të hidhur që ndërton e shpërbën njëherësh. Gjuha e tij me stilizimin elegant prej filigrani pasurohet me gegërishten e hijshme dhe fjalët arkaike, duke krijuar një ritëm të veçantë, që rrjedh herë si kronikë, herë si monolog i brendshëm. Realja e fantastikja, historia dhe miti, e përditshmja dhe amshimi ndërthuren në një rrëfim të fuqishëm e të pashlyeshëm.
Ky libër zë një vend qendror në krijimtarinë e Mehmet Krajës, i jep prozës së tij dhe letërsisë shqipe një nga modelet më origjinale të rrëfimit ciklik, duke e kthyer tregimin nga zhanër i shkurtër në një formë të gjerë kujtese.
Një këngë vajtimi për botën që humbëm e që nuk pranon të harrohet.

Libra të ngjashëm