Shkrimtari i njohur Martin Gjergji merr një ftesë të papritur dhe plot mister nga Ministria e Jashtme e Francës. Është viti 1990. Lejohet të udhëtojë për në Paris pa shoqërues. Gjithçka i tregon se policia e fshehtë e Tiranës i ka ngritur një kurth për ta eliminuar. Vargjet profetike të një poezie të tij të vjetër i krijojnë parandjenja ankthi dhe frike. Pengesa nga më të jashtëzakonshmet i presin rrugën drejt qëllimit të madh të jetës – rimishërimit të tij në trupin e një gruaje në botën e lirë. Një nga vajzat më të bukura dhe më interesante të kryeqytetit shqiptar dërgohet inkonjito nga policia e fshehtë e Tiranës në Paris, me një mision delikat që lidhet me Martin Gjergjin. Letra që papa Paulus Secundus i dërgon Skënderbeut më 1468 është e kyçur me “kodin djallëzor” dhe pret të deshifrohet nga një kriptolog i famshëm.
Këto dhe plot ngjarje dhe aventura të pabesueshme dashurore dhe ezoterike, krijojnë një thriller të jashtëzakonshëm magjik që merr jetë në faqet e këtij romani të shkruar mjeshtërisht nga Mira Meksi.


Ditët e fundit të qershorit Ana Shiroka nuk u duk më në apartamentin e tij, që tani mbante një pasuri të tërë me kujtime prej saj, të cilat i sillte sa herë që vinte aty, për të shenjuar atë ditë dashurie; kishte qirinj erëmirë, kuti me çokollata, shishe me pije të shtrenjta, varëse çelësash me zemra, arushë pelushi, rroba banje për të… Martin Gjergji priti me durim për dy javë, por ajo nuk u duk. Atëherë telefonoi në Radio Tirana disa ditë me radhë, por përgjigjja që merrte ishte e njëjta, “nuk ndodhet”. Vendosi të përgjonte hyrje-daljet e saj në Radio Tirana, me shpresë se mos e takonte, por më kot. Atëherë mori në sy të pyeste Mondi Kalanë, por edhe ai ngriti supet. Aty nga mesi i korrikut, krejt rastësisht mori vesh se Ana Shiroka ishte fejuar me nipin e një tjetër anëtari të Byrosë Politike. Dashuria e tij e përjetshme e kish braktisur. Përjetësisht. Megjithatë, Martin Gjergji vazhdonte ta dashuronte, por përmbi ndjenjën, një shpresë e madhe se do të ishin sërish bashkë, qoftë edhe një herë të vetme në këtë jetë, i jepte forcë zemrës së tij të copëtuar.

Ishte fund shtatori, ditë e shtunë, një mëngjes i ngrysët, me një qiell të rrudhur që lëshonte mbi Tiranë litarë shiu, kur një telefonatë miku i ktheu Martin Gjergjit botën përmbys – atë ditë Ana Shiroka martohej. Nuk e tori gjatë, vendosi të vepronte. Tani nuk bëhej më fjalë vetëm për dashurinë, por për jetën e tij. U mbush me një lloj energjie që njeriut ia jep ja truri i përndezur skajshëm ja vetë Zoti kur vendos t’i marrë arsyen apo jetën. Gjeti të shkruar në kalendarin që mbante në tryezën e punës numrin e telefonit të shtëpisë së saj në Bllok, të cilin nuk kish guxuar ta përdorte ato muaj ankthi që Ana ishte larguar papritmas nga jeta e tij. Ishte shkrimi i saj në fletën e muajit maj të kalendarit. “Nuk i dihet, mund të të duhet një ditë”, – i kish thënë. Ai e pati harruar në çast, me mendje për të mos e përdorur kurrë.

Mori në dorë receptorin dhe formoi numrin. Në anën tjetër të fillit u dëgjua tringëllima e akullt e ziles që dukej sikur oshtinte në një hapësirë të zbrazët të pafundme. I futi dridhmat dhe e uli përnjëherë receptorin. Qetësoi si mundi zemrën që sa nuk po i dilte vendit dhe e formoi sërish numrin e telefonit. Priti gjatë me receptorin në dorë, por nuk dëgjoi të binte asnjë zile. E uli receptorin dhe nisi të bënte ecejake padurimi në sallon. E ngriti sërish receptorin dhe formoi ngadalë, numër për numër, duke e verifikuar gjithsaherë shifrën e shkruar nga dora e Anës në fletën e muajit maj të kalendarit. Sa mbaroi numrin e fundit, si me magji, në vend të tringëllimës së ziles, dëgjoi zërin prej mezzo-sopranoje të Anës: “Urdhëroni!” Nuk e priti dhe nga turbullimi zëri i ngeci në grykë. Por me mundim ia doli të belbëzonte pas një grime: “Jam unë.” “Ku je?” – ia ktheu zëri prej mezzo-sopranoje i Anës. “Dua të të takoj, qoftë edhe pak minuta. Sot!” – mori zemër Martin Gjergji.

Në anën tjetër të fillit, të botës, u bë heshtje. Zgjati pak sekonda, por atij iu dukën orë. Pastaj dëgjoi: “Në rregull, eja, të pres në shtëpinë time!” Nuk mund ta besonte. Në shtëpinë e saj? Në Bllokun e famshëm të udhëheqjes që ruhej me ushtarë dhe që dukej sikur i përkiste një tjetër universi? Dhe të futej si hajdut në shtëpinë e një anëtari të Byrosë Politike ditën e dasmës të së bijës? Ai, dashnori i fshehtë i saj? Jo, jo, këtë s’mund ta bënte. Kurrë. U mat t’ia thoshte Anës, por ajo shpejtoi t’i shpjegonte: “Do të dalë të të presë një punëtore e shtëpisë” dhe i dha udhëzimet e rastit. Ishte aq e përpiktë, e ftohtë dhe serioze, sa dukej sikur e kish planifikuar prej kohësh.

Martin Gjergji e mbylli ngadalë telefonin. Ishte si i mpirë. Kokën e kishte të zbrazët nga mendimet, asnjë i tillë nuk po i kristalizohej. U lëshua në kolltukun e dhomës së punës për të marrë veten dhe aty i vrujisën pyetjet: Çfarë kërkonte Ana prej tij që e ftonte në shtëpi atë ditë të shënuar për të, ndonëse ishte ai që kërkoi ta takonte? Nuk dilte dot ajo të takoheshin si përherë tek ai? Qoftë edhe për të thënë lamtumirë? Për t’u ndarë bukur? Po a ka ndarje të bukur?

Brofi në këmbë, sepse e tërbuan ato pyetje të marra. “Ana sot martohet”, – tha me zë të lartë për t’i dhënë guxim vetes, sikur të thoshte: “Ana po shkon në luftë dhe unë lipset të jem me të. Ky është vullneti i saj, vullneti i dashurisë!” Në çast e ndjeu veten si pjesë të rëndësishme të asaj që po ndodhte, të dasmës së Anës, pa të cilën ajo do të qe e mangët, por ndoshta edhe s’do të bëhej fare. U vesh me të shpejtë dhe doli në atë kohë me rrebeshe shiu, kur qielli i Tiranës therej nga rrufetë. Gjysmë i lagur mbërriti në rrethinën e Bllokut, ku te vendroja e hyrjes kryesore e priste një grua rreth të pesëdhjetave që quhej Sadije dhe që e shoqëroi përgjatë tempullit të ndaluar, për te shtëpia e Anës.

Në atë mision vrastar, Martin Gjergji nuk mundi dot ta vendoste në kujtesë rrugëtimin labirintik që nga hyrja e rrethinës së ndaluar të zotave gjer te dhoma e Anës, pa ndeshur frymë njeriu. Labirintet i kishte marrë tmerr që në fëmijëri, kur kish parë një figurë libri me një labirint dhe e ëma i kish shpjeguar se çdo labirint ka një përbindësh në qendër të tij. “Prite kur të më dalë përbindëshi”, – kish thënë me vete, sepse edhe korridoret brenda shtëpisë ku lëvizi ishin po ashtu labirintike dhe shkretane. “Po ç’dasëm është kjo?” – tha me vete dhe aty për aty mendoi se ndoshta lajmi i dasmës së saj atë të shtunë ishte i rremë. Nuk pati kohë ta tirrte më gjatë atë mendim çlirues, sepse Sadija hapi papritur derën e një dhome dhe pothuaj e shtyu brenda Martin Gjergjin, që çapitej me hapa të ngrirë.

Instinktivisht, ai mbylli sytë fort një çast nga frika e pamjes që do t’i shfaqej përpara dhe atij çasti dëgjoi zërin e Édith Piaf-it dhe të Jacques Brel-it në atë duet të pavdekshëm që këndonin Ne me quitte pas. Aroma e parfumit “Poison” të Dior-it, aroma e përjetshme e Anës, “helmi” i saj, e mbështolli si një magji joshëse, ngushëlluese dhe atëherë hapi sytë e pa një figurinë vezulluese me një dritë të bardhë që iu derdh në kraharor – ishte Ana në dhomën e saj të vajzërisë, Ana brenda një shkumëzimi çmenduran dantellash dhe hollërinash zbardhëllimë, Ana nuse me fytyrë fëmije, që shkëlqente si njëqind diej bashkë, veshur me fustanin e nusërisë. “Ana, Martin, Ana, Martin…” – pëshpëritnin brenda gojës së shoqi-shoqit, pa gjetur mundësi të thoshin një fjalë, ndërsa gramafoni vazhdonte të nxirrte tingujt e Ne me quitte pas dhe Martin Gjergji humbiste pa shpresë në labirintin edhe më të koklavitur e më të frikshëm të dantellave të shkumëzuara.

Gjersa i ra mendjes të zbërthente dhjetëra perlat-kopsa nga iliqet e tyre të reja e të forta që mbyllnin fustanin në shpinën nusërore, të cilat i zbuste së pari me puthjet e buzëve të tij të zhuritura, dhe të gjente lëkurën e saj të zhveshur, të ngrohtë dhe të njomur nga vlaga e dashurisë, lëkurën e saj prej nuseje ende të panusëruar, që i çoi të shkriheshin brenda trupit të njëri-tjetrit. Ishin hapur portat e qiellit. Ishte hera e parë që nuk po ruheshin, që nuk po mbroheshin nga kërcënimet e pasojave të dashurisë. Ajo krejt indiferente, ai i lumtur ngase po vuloste portat e tempullit ku kish kyçur thesarin e tij.

– Sa kohë kemi, Ana? – e pyeste Martin Gjergji në jermin e dashurisë.

– Për çfarë, i dashur? – pyeste edhe ajo duke u pllaquritur në pellgun e kënaqësive përvëluese.

– Deri kur të vijnë të më ekzekutojnë, Ana, – përgjigjej ai me një fije shpirti.

– Rri i qetë, zemër, askush nuk do të të ekzekutojë, – gjegjej Ana në buzë të ngashërimit.

– Ku ndodhen zotat? Ku janë fshehur që nuk pashë asnjë? – pyeste ai sërish.

– Në anën tjetër të shtëpisë, – i shpjegonte ajo.

– Në anën tjetër të botës, – vijonte ai.

Kur mbërriti në apartamentin e tij, shiu kishte pushuar dhe qielli i Tiranës ishte qetësuar. U ul në kolltukun e dhomës së punës dhe mori një gotë konjak nga ai që kish pasë sjellë Ana dikur. “U trashëgofsh, Ana!” – uroi dhe e piu me fund mes lotësh. Pastaj u ul në tryezë përpara makinës së shkrimit dhe e detyroi veten të shkruante. Shkroi e shkroi sa e ktheu universin në një letër të bardhë që nxihej nga ushtria e pafundme e germave të zeza. Pothuaj dy orë më vonë, e ndërpreu shkrimin dhe hapi radion te “France Inter”-i[1] të dëgjonte lajmet. Efektin qashtërsues të shkrimësisë e ndiente në gjithë organizmin. Rrebeshi i shiut ia kish behur sërish. Një perde e rëndë uji shquhej përmes qelqeve të dritareve. Martin Gjergji mendoi se tani gjithçka ishte larë dhe shpëlarë nga shiu, rrugëtimi i tij nëpër tempullin e zotave, dhoma vajzërore e Anës, labirinti i frikshëm i dantellave të shkumëzuara, dashuria me Anën nuse, vetë dasma e saj absurde. Magjia e ujit qiellor e bëri të mendonte se në të vërtetë kish ecur brenda një ëndrre, se asgjë tjetër nuk ekzistonte përveç realitetit të ëndrrës.


[1]  France Inter –stacion i radios kombëtare të Francës.

About the author : Libraria Onufri

Leave A Comment

Related posts